Një hetim i zhvilluar nga organet e rendit ka çuar në arrestimin e katër personave të dyshuar për përfshirje në një skemë mashtrimi me vlerë mbi 1.5 milion euro. Rasti lidhet me shitjen e dyshuar të kundërligjshme të pronës përmes dokumenteve të falsifikuara.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona me inicialet M.M., S.B., D.R. dhe B.Z., të cilëve fillimisht u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi në bashkëkryerje”.
Sipas njoftimit, i dyshuari M.M. përballet edhe me akuzën për “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërsa D.R. dyshohet edhe për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Bazuar në hetimet paraprake, të pandehurit dyshohet se, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, duke fshehur fakte relevante dhe duke e vënë në lajthim të dëmtuarin H.M., në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 1,578,180.00 euro.
Prokurori i shtetit ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat përkatëse, pasi ekziston dyshimi se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme. Po ashtu, nga Gjykata është kërkuar lëshimi i urdhërit ndalues përfundimtar për këto parcela, me qëllim sigurimin e pronës deri në përfundim të procedurës penale.
Ndërkohë, Gjykata kompetente ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurit M.M., S.B., D.R. dhe B.Z.







