Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët shqiptarë mbi pasojat e mashtrimeve përmes martesës me qëllim të emigracionit drejt SHBA-së.
Në komunikatën e saj, ambasada thekson se ky veprim përbën një krim federal dhe mund të sjellë dënime serioze. Qytetarët inkurajohen të ndjekin vetëm rrugë ligjore për të hyrë dhe qëndruar në Shtetet e Bashkuara.
“Mashtrimi për martesë është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe mund të çojë në dënime serioze. Gjithmonë zgjidhni një proces të ligjshëm emigracioni për të hyrë në vend dhe për të siguruar dokumentacionin e duhur”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Po ashtu, ambasada rikujton se shkeljet e ligjit të emigracionit mund të kenë pasoja të rënda ligjore dhe të ndikojnë negativisht në mundësitë për udhëtim ose qëndrim në SHBA në të ardhmen.







