Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka marrë lejen zyrtare nga Komuna e Prishtinës për përdorimin e hapësirës publike, me qëllim të organizimit të një marshimi qytetar me moton “Drejtësi, jo politikë”.
Marshi do të zhvillohet më 17 shkurt, duke filluar nga ora 14:00, në hapësirën publike të miratuar nga autoritetet komunale, në përputhje me kërkesën e organizatorëve dhe legjislacionin në fuqi. Sipas dokumentit zyrtar të Komunës, leja garanton përdorimin e hapësirës në orarin e kërkuar dhe mbarëvajtjen paqësore të aktivitetit.
Platforma “Liria ka Emër” fton qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë Kosovës të bashkohen në këtë marsh paqësor, për të shprehur mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët qëndrojnë në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vite.
“Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, thuhet në njoftimin e Platformës “Liria ka Emër”.







