Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit të tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë të industrisë ndërkombëtare të mbrojtjes, me fokus forcimin e bashkëpunimit strategjik.
Në margjina të Forumit të Sigurisë në Mynih, ai është takuar me Dennis Kinzelmann, Drejtor i Përgjithshëm, dhe Daniel Zittel, Drejtor i Shitjeve në sektorin e mbrojtjes nga kompania Mercedes-Benz. Sipas tij, në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë ushtarake.
Maqedonci ka njoftuar se bashkëpunimi me Mercedes-Benz tashmë është konkretizuar përmes një kontrate trevjeçare për furnizimin me kamionë taktikë.
Ai theksoi se kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve operacionale dhe modernizimit të flotës ushtarake.
Sipas ministrit, ky partneritet strategjik dëshmon përkushtimin për ndërtimin e bashkëpunimeve afatgjata me prodhues liderë ndërkombëtarë, me qëllim ngritjen e standardeve të sigurisë, ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë për përmbushjen e misioneve të Forcës së Sigurisë.
“Bashkëpunimi me kompaninë Mercedes-Benz tashmë është konkretizuar përmes një kontrate trevjeçare për furnizimin me kamionë taktikë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve tona operacionale dhe modernizimin e flotës ushtarake”, ka shkruar ai në Facebook.









