Një person që u raportua i zhdukur një ditë më parë është gjetur i pajetë në pendën e fshatit Livoç në Gjilan, njofton Policia e Kosovës.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, trupi u zbulua nga ekipet e specializuara të zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës të premten, gjatë kërkimeve intensive. “Më datë 28.11.2025 rreth orës 12:45, ekipet e specializuara të zhytësve të FSK-së arritën të gjenin trupin e pajetë të personit të zhdukur më 27.11.2025 në pendën e fshatit Livoç. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Osmani.
Raporti 24-orësh i Policisë kishte bërë të ditur më herët se zhdukja ishte raportuar nga vëllai i viktimës, i cili kishte gjetur veturën e tij, disa rroba dhe telefonin pranë pendës së fshatit Livoç. /Gjurmuesi/







