Lëvizja e mallrave drejt dhe nga Kosova po përballet me pengesa serioze si pasojë e protestave të disa kompanive transportuese në rajon, duke shkaktuar çrregullime të theksuara në transportin ndërkombëtar rrugor.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka ngritur shqetësimin se këto ndërprerje po ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetin e bizneseve vendore, duke vështirësuar eksportin dhe importin, rritur kostot operative dhe rrezikuar funksionimin normal të zinxhirëve të furnizimit.
“Situata tashmë ka sjellë vonesa të konsiderueshme, humbje financiare, ndërprerje të kontratave dhe kërcënim për humbjen e klientëve ndërkombëtarë, duke dëmtuar imazhin dhe besueshmërinë e biznesit kosovar. Ndërprerjet e zgjatura nuk janë thjesht shqetësim operativ, por një kërcënim real për klimën e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në njoftim.
Në këtë kontekst, Lidhja e Bizneseve të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian dhe të gjitha palëve të përfshira në transportin ndërkombëtar që të veprojnë urgjentisht për rikthimin e qarkullimit normal të mallrave, duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe të parashikueshme për zinxhirët e furnizimit në nivel rajonal dhe evropian.
“Ne theksojmë se lëvizja e lirë e mallrave dhe funksionimi i pandërprerë i transportit rrugor janë të domosdoshme për ruajtjen e stabilitetit ekonomik, për sigurimin e punësimit, dhe për avancimin e integrimit të Kosovës në tregun unik të Bashkimit Evropian. Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e angazhuar për të mbrojtur interesat e komunitetit të biznesit dhe për të kontribuar në dialogun institucional dhe ndërkombëtar, në funksion të një tregtie të lirë, të sigurt dhe funksionale”, shkruhet në njoftim.









