Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar propozimin e saj për kandidat në garën për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Kryesia e partisë ka vendosur t’i japë këtë përgjegjësi kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku.
Në konferencën e mbajtur pas mbledhjes, Abdixhiku sqaroi se vendimi i Kryesisë ka qenë i qartë dhe unanim. Ai theksoi se, sipas strukturave të LDK-së, kryetari i partisë është kandidati natyral për postin e kryeministrit, prandaj ai është propozuar për konfirmim në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.
“Te çështja e kandidatit të LDK-së nuk zgjati shumë diskutimi… Kryesia më nominoi si propozim për Këshillin e Përgjithshëm të jem kandidat i LDK-së për kryeministër”, tha ai.
Abdixhiku shtoi se ka marrë autorizimet që i takojnë dhe se ka vendosur të heqë dorë nga e drejta e tij për të përcaktuar renditjen e listës së kandidatëve për deputetë. Sipas tij, listën do ta hartojë një grup më i gjerë njerëzish për të shmangur pakënaqësitë e mundshme.
Ai bëri të ditur se mbledhja e Kryesisë u përqendrua në pesë pika kryesore. Pika e parë lidhej me analizën e rezultateve të zgjedhjeve të fundit lokale, ku u prezantuan të dhënat finale dhe u dha mbështetje për të gjithë kandidatët fitues dhe pjesëmarrës.
Po ashtu, u diskutua edhe përgatitja për zgjedhjet nacionale që po afrohen, duke përfshirë organizimin e degëve dhe përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë. /Gjurmuesi/







