Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në kryeqytet, ku një zyrtar policor ka humbur jetën në rrethana tragjike. Rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit dhe po hetohet nga autoritetet kompetente.
Është konfirmuar se zyrtari policor që ka ndërruar jetë është Ismet Isufi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:30, në rrugën “Zagrebi” në Prishtinë, ku ka qenë e përfshirë edhe një veturë në një aksident trafiku.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e rajonit të Prishtinës, dyshohet se Isufi ka vdekur para se të ndodhte aksidenti.
Njësitet policore dhe ekipi i emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, zyrtar policor, e cila dyshohet se ka ndodhur para aksidentit. Me rastin po merret Njësia Rajonale e Trafikut, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkaqet e sakta të ngjarjes.
“Sipas Policisë, Isufi ka vdekur para se të ndodhte aksidenti. Njësitet policore dhe emergjenca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga këta të fundit është konstatuar vdekja e viktimës (zyrtar policor), që dyshohet të ketë ndodhur para aksidentit. Me rastin është duke u marrë Njësia Rajonale e Trafikut, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkaqet e sakta të aksidentit”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Ndërkohë, edhe familja Isufi ka reaguar përmes një njoftimi prekës, duke bërë të ditur lajmin e ndarjes nga jeta të zyrtarit policor.
“Sot për familjen tonë Isufi nga Keqekolla Malësia e Gollakut na erdhë një lajm i papritur.
U nda nga jeta djali i axhes, vllau i jonë Ismet Isufi. Ngushëllime të gjithë familjesë tonë, miqëve shokëve e dashamirve tonë. Zoti të mëshiroft o Ismet Isufi! Familjesë tonë zoti i dhashët forcë e gajret. Të gjithë jemi një ditë të bitë e vdekjesë”, thuhet në njoftimin e familjarëve. /Gjurmuesi/







