Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas me një mesazh urimi dhe reflektimi mbi përparimin dhe sfidat që lidhen me barazinë gjinore. Ai ka theksuar rëndësinë e garantimit të të drejtave të grave jo vetëm në nivel ligjor, por edhe në jetën e përditshme të shoqërisë.
Sipas tij, institucionet në Kosovë kanë ndërmarrë hapa konkretë për fuqizimin e grave dhe vajzave, duke përfshirë mbështetjen për punësim, rritjen e pronësisë së grave dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore.
Ndër të tjera, Kurti ka theksuar se përpjekjet për barazi duhet të përkthehen në rezultate reale dhe të prekshme për çdo grua dhe vajzë në vend.
“Barazia nuk është vetëm premtim – është veprim. Dhe ky angazhim vazhdon. Urime Ditën Ndërkombëtare të Gruas – barazia është punë dhe përgjegjësi e përbashkët”, ka shkruar kreu i qeverisë në Facebook.
Postimi i plotë:
“Të Drejta. Drejtësi. Veprim.” Kjo është tema e Ditës Ndërkombëtare të Gruas këtë vit. Në mbarë botën, gratë dhe vajzat po kërkojnë të drejtat e tyre, drejtësi e solidaritet, mundësi të barabarta.
Dita Ndërkombëtare e Gruas na e kujton se barazia thërret për veprim. Në Kosovë po fuqizojmë gratë përmes punësimit, mbështetjes ekonomike, rritjes së pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje dhe luftës kundër dhunës me bazë gjinore. Mbi 12 mijë gra të mbështetura në punësim, rritje e pronësisë së grave dhe mekanizma më të fortë mbrojtjeje janë hapa konkret drejt barazisë në vendin tonë, ashtu që të drejtat e grave mos të mbeten vetëm në ligje dhe deklarata – por të garantohen me drejtësi reale, në jetën e përditshme kolektive, në përvojën individuale të secilës.
Barazia nuk është vetëm premtim – është veprim. Dhe ky angazhim vazhdon.
Urime Ditën Ndërkombëtare të Gruas – barazia është punë dhe përgjegjësi e përbashkët!







