Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim të përbashkët me kabinetin e tij qeveritar, në kuadër të përgatitjeve për hartimin e programit qeverisës për mandatin e ri.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se takimi i kabinetit të Qeverisë Kurti 3 do të zgjasë dy ditë dhe ka për qëllim që zotimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore dhe ekspozeja e prezantuar para deputetëve të shndërrohen në një program konkret qeverisës.
“Në zgjedhjet e dhjetorit 2025, qytetarët na dhanë një besim të paparë në Kosovën e pasluftës. Ne kërkuam besimin qytetar për ta kthyer atë në siguri e begati. Nuk garuam me premtime që harrohen, por me zotime që jetësohen. Në dritë të kësaj, sot kemi filluar një takim të përbashkët të kabinetit tonë qeveritar, i cili do të vazhdojë për dy ditë rresht, me qëllim që zotimet e fushatës para qytetarëve dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve t’i shndërrojmë në program qeverisës”, shkroi Kurti.
Ai theksoi se programi qeverisës do të përkthehet në plane konkrete pune, projekte dhe objektiva që synojnë realizimin e angazhimeve të marra gjatë mandatit.
“Zotime që kthehen në program dhe program që përkthehet në plane me projekte, qëllime me objektiva, strategji me operacione, masa me punë të përditshme që do të realizohen përgjatë këtij mandati. Angazhimi, e mira e përgjithshme dhe interesi publik, zhvillimi dhe barazia, integriteti dhe dinjiteti shtetëror kanë qenë dhe do të mbeten pikënisja dhe synimi i qeverisjes sonë”, shkroi i pari i Qeverisë.






