Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka rikujtuar të gjithë konsumatorët që kanë obligime të papaguara për shërbimet e ujit dhe kanalizimit se duhet t’i rregullojnë ato brenda afatit të caktuar, në mënyrë që të shmangen masat ndëshkuese.
Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale, bazuar në të dhënat e faturimit, një numër i konsiderueshëm i konsumatorëve figurojnë me borxhe të pashlyera për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit. KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se afati i fundit për kryerjen e pagesave është fundi i muajit shkurt 2026.
Pagesat mund të realizohen në sportelet e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” SHA, përmes bankave komerciale, institucioneve mikrofinanciare dhe Postës së Kosovës, si dhe online përmes platformës elektronike.
Kompania ka paralajmëruar se në rast të mosrealizimit të pagesës brenda këtij afati, mund të ndërmerren masa si ndërprerja e furnizimit me ujë dhe procedimi i lëndëve për trajtim te përmbaruesit privat.
Nga KRU “Prishtina” theksohet se pagesa e rregullt e shërbimeve është thelbësore për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me ujë të pastër dhe për të siguruar shërbime cilësore për të gjithë qytetarët.









