Në Kroaci po shqyrtohet mundësia e ngritjes së një padie kundër Shqipërisë pas transferimit të mbeturinave drejt brigjeve të Dubrovnikut përmes rrugës detare.
Kjo ide u diskutua në mbledhjen e këshillit bashkiak të qytetit nga këshilltarja dhe avokatja Viktorija Knezeviq, e cila tha se, ndonëse ligjërisht mund të jetë e mundur, realizimi praktik është shumë i vështirë. “Pyetja më e rëndësishme tani është se çfarë tjetër mund të bëjmë për të ndaluar përsëritjen e fenomenit të plazheve tona të mbushura me mbeturina,” shtoi ajo.
Knezeviq theksoi se Konventa e Barcelonës obligon të gjitha vendet mesdhetare, përfshirë Shqipërinë, të marrin masa për të reduktuar mbeturinat që përfundojnë në det. Kroacia mund të kërkojë gjithashtu që Adriatiku jugor të shpallet zonë prioritare në këtë drejtim.
“Shqipëria është në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, gjë që i jep Kroacisë një mjet të fuqishëm për të kërkuar rezultate konkrete dhe të matshme në mbrojtjen e Adriatikut. Ekziston një projekt kroato-shqiptar me UNDP-në që mund të zgjerohet për të përfshirë grykëderdhjet e lumenjve dhe vendgrumbullimet problematike të mbetjeve,” tha Knezeviq.
Sipas saj, mbeturinat që dalin në plazhe përbëjnë vetëm rreth 20% të totalit, pasi rreth 80% fundosen në shtratin e detit. “Ajo që pamë është vetëm maja e ajsbergut; barra e vërtetë mjedisore mbetet nën ujë, ku ekosistemi, peshkatarët, turizmi dhe shëndeti detar vuajnë pasojat,” theksoi ajo.
Knezeviq nënvizoi gjithashtu se ekzistojnë modele bashkëpunimi të suksesshme për përballimin e mbetjeve, si ato në Detin Baltik, ku vendet fqinj kanë arritur të zvogëlojnë ndjeshëm mbeturinat në bregdet përmes planeve të përbashkëta të veprimit. /Gjurmuesi/







