Procesi i rinumërimit të votave po shkon drejt përfundimit, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se puna tashmë është mbyllur në shumicën e komunave të vendit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se deri më tani rinumërimi është përmbyllur në 32 komuna, ndërsa kanë mbetur edhe disa vendvotime për t’u trajtuar në komunat e mbetura.
Sipas tij, aktualisht janë më pak se 401 vendvotime që presin të rinumërohen dhe ato i takojnë gjashtë komunave tjera.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 28 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar rreth 85% apo 2,156 nga 2,557 vendvotime. Pra, numri i përgjithshëm i komunave që deri më tani kanë përmbyllur rinumërimin janë 32, ndërkaq kanë mbetur për t’u rinumëruar më pak se 401 vendvotime që i takojnë 6 komunave tjera”, tha Elezi.
KQZ ka theksuar se procesi po zhvillohet sipas planifikimit dhe se përditësimet do të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të rinumërimit në të gjitha komunat.







