Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i verifikimit dhe rinumërimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash po vazhdon me intensitet në disa qendra të numërimit.
Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut, po zhvillohet verifikimi i rezultateve të votimit. Deri në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga gjithsej 105, ndërsa pritet që ky proces të përfundojë gjatë ditës.
Një ditë më parë është mbyllur verifikimi i rezultateve në 17 komuna, përfshirë Junikun, Mamushën, Kllokotin, Obiliqin, Klinën, Vushtrrinë, Dragashin, Rahovecin, Gjakovën, Gjilanin, Fushë Kosovën, Suharekën, Kaçanikun, Prishtinën, Vitinë, Prizrenin dhe Pejën.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Deri në orën 09:00 të së mërkurës, janë rinumëruar 10 prej tyre.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet e verifikuara do të publikohen në platformën e saj zyrtare pas përfundimit të procesit. /Gjurmuesi/







