Pavarësisht gabimeve në fletëvotimet e balotazhit të 9 nëntorit, kompania sllovene CETIS është përzgjedhur sërish nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të përgatitur materialet zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Kjo kompani do të printojë fletëvotimet dhe broshurat e kandidatëve për deputetë, me një kontratë vlerë mbi 275 mijë euro. Sipas njoftimit të publikuar në faqen e “e-prokurimit”, ftesa për ofertim iu dërgua gjashtë operatorëve ekonomikë, por u pranua vetëm një ofertë administrativisht e saktë nga grupi CETIS & CETKOS.
“Në këtë aktivitet të prokurimit ftesa për ofertim u është dërguar gjithsej 6 operatorëve ekonomikë (4 vendorë dhe 2 të huaj). Kemi pranuar vetëm një ofertë administrativisht të përgjegjshme nga grupi i operatoreve ekonomik Cetis & Cetkos, dhe pas një procesi të vlerësimit është shpërblyer me kontratë ky operator ekonomik si ofertues i vetëm. Vlera e kontratës është: 275,742.40€”, tha KQZ-ja.
Sa i përket gabimeve të mëparshme, KQZ-ja konfirmoi se janë zbatuar masa ndëshkuese ndaj kompanisë për fletëvotimet e shtypura me gabime teknike dhe janë ndërmarrë hapa shtesë për të parandaluar përsëritjen e tyre. Për zgjedhjet e parakohshme janë miratuar specifikime teknike të reja, përfshirë shtimin e QR Code në fletëvotim për identifikim digjital dhe një nivel të rritur kontrolli gjatë shtypjes.
Gabimet në fletëvotimet e rundit të kaluar kishin shkaktuar shqetësime dhe dyshime për keqpërdorim të votave, veçanërisht në Mitrovicë. Për këtë arsye, KQZ-ja kishte formuar një komision vlerësues për fletëvotimet nga të gjitha komunat e përfshira dhe kompania raportoi se 1,874 fletëvotime, të shpërndara në 18 komuna, ishin shtypur me gabime. /Gjurmuesi/







