Kosova ka dërguar të shtunën një ndihmë humanitare për popullin e Gazës, e nisur nga porti i Mersinit në Turqi me anije speciale.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi nisjen e ndihmës, duke sqaruar se megjithëse vendimi për dërgimin e saj ishte marrë në janar, realizimi u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes të arritur nën udhëheqjen e presidentit amerikan.
Dërgesa me vlerë 500 mijë euro përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione ushqimi të ngrohtë.
“Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza”, shkroi Kurti, duke falënderuar gjithashtu Turqinë për mbështetjen në realizimin e këtij operacioni. /Gjurmuesi/







