Edhe gjatë vitit 2025, Kosova ka humbur një numër të konsiderueshëm profesionistësh shëndetësor. Sipas të dhënave të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, 90 mjekë dhe 1,932 infermierë kanë lënë vendin, një situatë që mbetet shqetësuese për sistemin shëndetësor.
Mungesa e kushteve të punës dhe pakënaqësitë me pagat janë faktorët kryesorë që kanë shtyrë profesionistët shëndetësor të largohen. Edhe pse numri i largimeve është pak më i ulët se në vitet e mëparshme, dukuria vazhdon të jetë problematike për Odën e Mjekëve të Kosovës.
“Statistikat nuk janë kurrë plotësisht të sakta, pasi liberalizimi i vizave lehtëson lëvizjen e lirë të kuadrove. Megjithatë, krahasuar me vitet e tjera, numri është pak më i ulët, rreth 20 më pak. Këtë vit rreth 90 mjekë kanë kërkuar certifikatë të sjelljes së mirë në Odën e Mjekëve,” tha Naser Gjonbalaj nga Oda e Mjekëve. Ai shtoi se pjesa më e madhe e mjekëve që largohen janë mjekë të përgjithshëm.
Jo vetëm mjekët, por edhe infermierët kanë braktisur vendin. “Këtë vit, gjithsej 192 infermierë kanë kërkuar licenca të plastifikuara për të ushtruar profesionin jashtë vendit. Krahasuar me vitin 2024, ka një rënie të lehtë, por trendi vazhdon,” shprehet Nexhmije Gori, kryetare e Odës së Infermierëve.
Largimi i profesionistëve shëndetësor konsiderohet alarmant nga kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Tëvdie Imeri, e cila thekson nevojën për masa parandaluese. “Është shqetësuese që kuadri i përgatitur kaq shumë të shkojë në një vend tjetër, duke humbur investimin e madh që i është bërë. Duhet një strategji për të ndalur ikjet, përndryshe Kosova mund të mbetet shumë keq në të ardhmen,” tha ajo.
Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, Gjermania vazhdon të mbetet destinacioni kryesor për profesionistët shëndetësor që largohen nga vendi.







