Qytetarët dhe bizneset kosovare që operojnë në Itali tani kanë përfitime nga Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë, parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies së tij, e cila ka hyrë tashmë në fuqi.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Itali, marrëveshja siguron që të ardhurat e njëjta nuk tatohen dy herë, si në Kosovë ashtu edhe në Itali. “Tatimi i paguar njihet si kredit tatimor në shtetin tjetër (sipas rregullave përkatëse). Rregulla të qarta ekzistojnë për paga, profesione të lira dhe biznese; pensionet tatohen vetëm në shtetin e rezidencës; punësimi afatshkurtër (deri 183 ditë) – të ardhurat tatohen vetëm në shtetin e rezidencës kur plotësohen kushtet e marrëveshjes; përjashtime për studentë dhe praktikantë që qëndrojnë për studim ose trajnim; norma më të favorshme për dividendë, interesa dhe honorare; dhe më shumë siguri juridike për qytetarët dhe investitorët”, thuhet në njoftim.
Kjo marrëveshje pritet të lehtësojë aktivitetin ekonomik dhe të sigurojë qartësi ligjore për qytetarët dhe kompanitë që operojnë në të dy vendet.







