Në sistemin publik shëndetësor të Kosovës është shënuar një moment i rëndësishëm në fushën e mjekësisë riprodhuese. Për herë të parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është konfirmuar një shtatzëni pas aplikimit të procedurave të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF).
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të madh për shumë gra që dëshirojnë të bëhen nëna.
“Për herë të parë në sistemin publik shëndetësor në QKUK është konfirmuar një shtatzëni pas procedurave të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF). Një lajm që jep shpresë për shumë gra që presin të bëhen nëna, e që tashmë këtë procedurë mund ta realizojnë në QKUK, ku dy procedurat e para ofrohen pa pagesë”, ka shkruar Vitia.
Ai ka shprehur gjithashtu mirënjohje për ekipin profesional të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e tyre në realizimin e këtij procesi.
“Falënderojmë ekipin profesional të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm”, ka shtuar ministri Vitia.







