Qytetarët dhe punonjësit e institucioneve publike në Kamenicë duhet të respektojnë ndalimin e duhanit në ambientet e brendshme të institucioneve, i cili hyn në fuqi që nga sot. Ky vendim synon mbrojtjen e shëndetit publik dhe krijimin e mjediseve më të sigurta dhe të pastra për të gjithë.
Sipas urdhëresës, Drejtoria e Administratës së Përgjithshme ka detyrë që brenda 10 ditëve të caktojë hapësira të jashtme për pirjen e duhanit në institucionet publike dhe të njoftojë të gjithë punonjësit për zbatimin e saj. “Hapësirat e caktuara duhet të jenë të vendosura në distancë të sigurt nga hyrjet, daljet, dritaret dhe zonat e qarkullimit të qytetarëve, të pajisen me sinjalistikë të qartë dhe të mirëmbahen në mënyrë të rregullt nga institucioni përgjegjës”, thuhet në urdhëresë.
Komuna e Kamenicës bën thirrje që të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë dhe të respektojnë këtë urdhëresë, duke theksuar se zbatimi i saj është në interes të shëndetit të publikut. /Gjurmuesi/







