Bashkimi Evropian po përgatitet të ashpërsojë edhe më tej masat ndaj Rusisë, në prag të përvjetorit të katërt të luftës në Ukrainë. Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të re sanksionesh që synon sektorë kyç të ekonomisë ruse, me synimin që ajo të miratohet deri më 22 shkurt.
“Komisioni po propozon një paketë të re sanksionesh, të 20-tat që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës”, tha Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.
Kufizime në sektorin e naftës dhe energjisë
Paketa e re parashikon një ndalim të plotë të shërbimeve detare për transportin e naftës bruto ruse, me qëllim uljen e mëtejshme të të ardhurave nga eksporti i energjisë dhe vështirësimin e gjetjes së blerësve për naftën ruse.
“Meqenëse transporti detar është një biznes global, ne propozojmë që ky ndalim i plotë të miratohet në koordinim me vendet me të njëjtat mendime pas vendimit të G7”, tha Presidentja e Komisionit.
Në kuadër të kësaj pakete, propozohet edhe shtimi i 43 anijeve të tjera nga e ashtuquajtura flotë në hije e Rusisë në listën e sanksioneve. Me këtë, numri total i anijeve të sanksionuara që përdoren për të anashkaluar masat ndëshkuese rritet në 640.
Po ashtu, përfshihen masa që synojnë vështirësimin e sigurimit të cisternave për këtë flotë, si dhe një ndalim gjithëpërfshirës për ofrimin e mirëmbajtjes dhe shërbimeve të tjera për cisternat e LNG-së dhe anijet akullthyese.
Kufizime në sistemin financiar rus
Pjesa e dytë e paketës fokusohet në goditjen e sistemit bankar rus dhe pengimin e krijimit të kanaleve alternative të pagesave për financimin e aktivitetit ekonomik. Sipas propozimit, 20 banka të tjera rajonale ruse do t’i shtohen listës së sanksionuar.
Gjithashtu, masa ndëshkuese parashikohen edhe për disa banka në vende të treta, të cilat dyshohet se kanë ndihmuar tregtinë e paligjshme të mallrave të sanksionuara.
Në këtë kuadër, Komisioni Evropian propozon edhe masa kundër përdorimit të kriptovalutave, duke synuar kompanitë dhe platformat që mundësojnë tregtimin e tyre, për të parandaluar anashkalimin e sanksioneve ekzistuese.
Kufizime në import dhe eksport
Pjesa e tretë e paketës synon shtrëngimin e mëtejshëm të kufizimeve në eksportin e mallrave dhe shërbimeve drejt Rusisë, duke përfshirë produkte si goma, traktorë dhe shërbime të sigurisë kibernetike.
Po ashtu, propozohet një ndalim i ri për importin e metaleve, kimikateve dhe mineraleve kritike që ende nuk janë përfshirë në sanksione, si dhe kufizime shtesë për eksportin e artikujve dhe teknologjive të përdorura në fushën e betejës, përfshirë materialet për prodhimin e eksplozivëve.
Presidentja e Komisionit u bëri thirrje shteteve anëtare që ta miratojnë paketën sa më shpejt të jetë e mundur, “në mënyrë që të dërgohet një sinjal i fortë në prag të përvjetorit të zymtë të katërt të kësaj lufte”.
Von der Leyen theksoi se të ardhurat fiskale të Rusisë nga nafta dhe gazi kanë rënë me 24 përqind në vitin 2025 krahasuar me vitin e kaluar, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2020.
“Të ardhurat nga nafta dhe gazi në janar do të jenë më të ulëtat që nga fillimi i luftës. Kjo konfirmon atë që e dinim tashmë – se sanksionet tona po funksionojnë dhe ne do të vazhdojmë t’i përdorim ato derisa Rusia të fillojë negociata serioze me Ukrainën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha von der Leyen.







