Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit, dhe aktualisht po merr trajtim mjekësor në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Drejtori i Emergjencës, Nasel Syla, ka konfirmuar se gjendja e tij është stabile dhe se ai është dërguar më pas për tretman të specializuar në Klinikën e Ortopedisë.
Sipas zëdhënësit të Policisë për Prishtinën, Enis Pllana, incidenti ka ndodhur rreth orës 14:30 në fshatin Sharban. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet e para, ndërsa burimet lokale bëjnë të ditur se i plagosuri është 22-vjeç dhe pjesëtar i FSK-së. Po ashtu, personi që dyshohet se ka shtënë me armë është gjithashtu pjesë e ushtrisë, dhe të dy ndodheshin jashtë orarit të punës në momentin e incidentit.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar rrethanat e saktë të plagosjes. /Gjurmuesi/







