Kushtet atmosferike në vend pritet të mbesin të pandryshuara edhe në ditët e ardhshme, me prezencë të vazhdueshme të mjegullës dhe ndryshime të ndjeshme të motit drejt fundit të vitit.
Menaxheri i departamentit meteorologjik në KANS, Sherif Gosalci, ka bërë të ditur se mjegulla do të vazhdojë të jetë prezente edhe në ditët në vijim, ndërsa paralajmërohen edhe zhvillime të reja sinoptike.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se fundi i vitit pritet të karakterizohet nga reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta.
“Nën ndikimin e presionit të lartë atmosferik, mjegulla do të vazhdojë edhe ditëve në vijim të jetë persistente në vendin tonë dhe më gjerë. Mot i ndryshueshëm dhe me reshje bore pritet në pjesën e dytë të javës që vjen”.
Sipas Gosalcit, të dhënat paraprake tregojnë për një ndryshim të theksuar të motit, që do të shoqërohet me acar dhe rënie të ndjeshme të temperaturave.
“Zhvillimet aktuale preliminare, na paralajmërojnë për një ndërrim të motmoteve me reshje bore dhe acar që mund të përshkohet me temperatura polare edhe deri – 20°C”, ka thënë Gosalci. /Gjurmuesi/







