Prokuroria e Shtetit ka intensifikuar hetimet lidhur me rastin e dyshuar të vjedhjes së votave gjatë procesit të numërimit në komunat e Obiliqit, Deçanit dhe Junikut. Megjithatë, deri më tani nuk është raportuar për intervistimin e asnjë kandidati për deputet, edhe pse rezultatet pritet të certifikohen përfundimisht në mesin e muajit shkurt. Pa u marrë përgjegjësi penale, kandidatët me vota të manipuluara pritet të certifikohen si deputet javën e ardhshme.
Derisa prokuroritë kanë arrestuar dhe intervistuar komisionerë dhe kryesues të qendrave të numërimit, Prokuroritë në Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë dhe Prishtinë nuk kanë konfirmuar nëse janë intervistuar kandidatët për deputetë. Disa prokurori kanë thënë se hetimet janë ende në faza të hershme dhe se nuk mund të japin detaje për motivet e dyshimeve ndaj të dyshuarve.
“Me datë 04.02.2026, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e disa personave të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, njofton Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Prokuroria në Pejë ka intervistuar 30 persona të dyshuar për falsifikim të rezultateve në Deçan dhe Junik. Zëdhënësi Shkodran Nikçi ka bërë të ditur se të intervistuarit janë komisionerë, ndërsa më pas do të ndiqen edhe kryesuesit e qendrave të votimit të përfshirë në këtë proces. Ai shtoi se nga sot kanë filluar intervistimet për rreth 200 komisionerë dhe kryesues në komunat që i mbulon kjo prokurori, duke nisur me Deçanin dhe Junikun, dhe më pas do të vazhdojnë të tjerat.
Sa i përket shtimit të votave në rajonin e Pejës, ku bëjnë pjesë Komuna e Klinës, Deçanit dhe Istogut, kryeson Komuna e Pejës. Në këtë komunë, numri më i madh i votave të manipuluara përket Vetëvendosjes – 2,469 vota. Për shembull, votat iu shtuan në favor të Taulant Kelmendit nga Vetëvendosja me 955 vota, Xhavit Halitit 458 vota, Ali Berishës nga AAK 172 vota dhe Fatmir Asllanit nga LDK 112 vota.
Koordinatore për hetimin e zgjedhjeve, prokurorja Laura Pula, ka deklaruar në KTV se fillimisht do të intervistohen komisionerët dhe kryesuesit, dhe më pas do të ndjekin kandidatët.







