Një lajm i trishtë ka goditur sportin paralimpik australian, pasi është konfirmuar vdekja e Paige Greco-s, një prej atleteve më të dalluara të vendit në çiklizëm, vetëm 28 vjeçe.
Organizata kombëtare e çiklizmit në Australi ka bërë të ditur se Greco ka ndërruar jetë të dielën në banesën e saj në Adelaide, pas një gjendjeje të papritur shëndetësore. Lajmi ka shkaktuar reagime të shumta, pasi ajo ishte ndër sportistet më të suksesshme dhe më të dashura të vendit.
Greco u bë e njohur globalisht në Lojërat Paralimpike “Tokyo 2020”, ku fitoi medaljen e parë të artë për Australinë në atë edicion, duke u shndërruar në simbol të këmbënguljes dhe forcës.
Familja e saj, përmes një deklarate të shkurtër, ka theksuar se është e shkatërruar nga humbja, por njëkohësisht jashtëzakonisht krenare për karakterin dhe përfaqësimin dinjitoz që Paige i ka bërë Australisë. Nëna e saj, Natalie, ka përshkruar vajzën si person plot mirësi, vendosmëri dhe ngrohtësi – cilësi që e karakterizonin çdo ditë. /Gjurmuesi/








