Përveç dyerve të zakonshme për hyrje dhe dalje, çdo aeroplan është i pajisur edhe me një ose më shumë dyer emergjente, të projektuara posaçërisht për të mundësuar evakuim të shpejtë dhe të kontrolluar të pasagjerëve në situata rreziku.
Këto dyer përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme, si zjarri në kabinë, aksidente gjatë ngritjes ose uljes, humbje e kontrollit të avionit apo incidente të tjera të paparashikuara që rrezikojnë sigurinë e udhëtarëve.
Mekanizmi i derës emergjente është i veçantë dhe nuk duhet të aktivizohet në asnjë rrethanë pa udhëzim të drejtpërdrejtë nga ekuipazhi. Vetëm pas komandës “evakuohuni”, e cila jepet në raste uljeje emergjente, dera hapet për të nisur procesin e shpëtimit.
Zakonisht, pranë këtyre dyerve ulet një pasagjer i përzgjedhur nga stafi, i cili vlerësohet si i aftë fizikisht dhe mendërisht për të ndihmuar në udhëzimin e të tjerëve drejt daljes së sigurt në rast emergjence.
Procesi i evakuimit zhvillohet gjithmonë sipas instruksioneve të ekuipazhit. Dera emergjente nuk përdoret për hedhje nga lartësia, por për orientimin e pasagjerëve drejt rrëshqitëseve speciale të evakuimit. Sipas standardeve të sigurisë, i gjithë evakuimi duhet të përfundojë brenda 90 sekondave. /Gjurmuesi/









