Një studim i fundit ka nxjerrë në pah një zbulim interesant: një pije kaq e zakonshme sa kakaoja mund të zbusë ndjeshëm efektet negative që shkaktojnë stresi dhe ushqimet e yndyrshme në zemër dhe tru.
Sipas hulumtimit, konsumimi i kakaos gjatë periudhave stresuese mund të ndihmojë trupin të rikuperohet më shpejt, sidomos kur dieta përmban ushqime me shumë yndyrë.
Studiuesit nga Universiteti i Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar kanë gjetur se ndërsa shumë njerëz priren të hanë ushqime të yndyrshme kur janë nën presion, një pije e pasur me kakao mund të përmirësojë dukshëm rikuperimin nga pasojat fiziologjike të stresit.
Studimi, i publikuar në revistën Food & Function, tregon se ushqimet e yndyrshme dëmtojnë funksionin vaskular dhe ulin oksigjenimin kortikal gjatë stresit, gjë që pengon rikuperimin. Përbërësi epikatehin, një flavanol i kakaos, ndihmon në relaksimin e qelizave të enëve të gjakut, përmirëson funksionimin e tyre dhe ul presionin e gjakut – një reagim i zakonshëm ndaj stresit.
Konsumi i kakaos lidhet me rikuperim më të mirë nga stresi
Në studim morën pjesë 23 të rritur të rinj të shëndetshëm. Secili konsumoi një vakt të yndyrshëm dhe më pas pinte kakaon me nivel të lartë ose të ulët epikatehini, një orë e gjysmë para testit stresues që zgjati tetë minuta.
Funksioni vaskular u mat në tri faza: në fillim të studimit, pas 30 minutash dhe pas 90 minutash nga testi.
Tek grupi që mori kakaon e pasur me epikatehin, enët e gjakut u zgjeruan më pak pas 30 minutash, por u rikthyen dukshëm më shpejt pas 90 minutash, duke treguar se kakaoja ndihmoi rikuperimin.
U monitoruan edhe parametra të tjerë si oksigjenimi cerebral, qarkullimi i gjakut në parakrah, presioni i gjakut, aktiviteti kardiovaskular dhe gjendja emocionale, por mes dy grupeve nuk pati dallime të dukshme.
Pse ushqimet e yndyrshme e rëndojnë stresin?
Edhe pse shpesh shihen si ushqime “ngushëlluese”, dieta e pasur me yndyra e zgjat stresin dhe e ngadalëson rikuperimin, sidomos te personat në profesione shumë stresuese.
Dr. Katarina Rendeiro shpjegon se puna e rënduar e shton rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare deri në 40%, për shkak të dëmtimit të vazhdueshëm të funksionit vaskular.
Dr. Cheng-Han Chen, kardiolog ndërhyrës, thotë se stresi kronik rrit hormonet e stresit, inflamacionin dhe presionin e gjakut, duke çuar në hipertension, infarkt ose goditje në tru. Edhe një ulje e vogël e funksionit vaskular e përkeqëson ndjeshëm rrezikun.
Si e neutralizon kakaoja efektin e ushqimit të yndyrshëm?
Sipas Dr. Rendeiro-s, ende nuk dihet saktë pse yndyra ngadalëson rikuperimin, por ngritja e triglicerideve dhe proteinës C-reaktive ul prodhimin e oksidit nitrik – molekula që zgjeron enët e gjakut.
Epikatehini në kakao e rrit këtë molekulë, duke përmirësuar rrjedhën e gjakut dhe funksionin vaskular.
Flavanolët e kakaos kanë veti të forta antioksiduese dhe anti-inflamatore. Efekte të ngjashme japin edhe çaji jeshil, korja e mollës, manaferrat dhe rrushi.
Kakao, çaji jeshil dhe frutat e pyllit – aleatë kundër stresit
Edhe pse kakaoja nuk ndikoi në oksigjenimin e trurit gjatë stresit, ajo ndihmon në rikuperimin e enëve të gjakut. Dr. Chen thotë se ndryshimet në qarkullimin cerebral gjatë stresit ndikojnë te përqendrimi, kujtesa dhe disponimi.
Mesazhi i studiuesve është i qartë: nëse gjatë stresit nuk i shmangni dot ushqimet e yndyrshme, shtoni një burim flavanolësh për të ulur dëmet.
Studimi rekomandon këto sasi për efekt optimal:
- 5.5 lugë kakao të papërpunuar
- ose 2 filxhanë çaj jeshil
- ose 300 g manaferra
Këto përmbajnë nivelin e flavanoleve që solli rezultatet pozitive te pjesëmarrësit. /Gjurmuesi/









