Ish-presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve të saj në rrjetet sociale me publikime të reja nga një udhëtim i pazakontë në Antarktidë. Pamjet e shpërndara së fundmi kanë ngjallur reagime të shumta për shkak të kushteve ekstreme në të cilat ajo është shfaqur.
Udhëtimi në Antarktidë është realizuar në kuadër të një organizimi nga influencuesi i njohur i udhëtimeve, Kristijan Iliçiq. Ai ka publikuar së fundmi një video tjetër në rrjetet sociale, ku shfaqet ekipi i tij duke realizuar të ashtuquajturën “zhytje polare”.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Grabar-Kitaroviq. Në videon e publikuar disa ditë më parë, ajo shihet duke kërcyer nga një barkë e vogël direkt në ujërat e akullta të detit.
Pas daljes nga uji, ajo shfaqet me gishtin e madh lart dhe me buzëqeshje, çka bëri që shumë ndjekës të dyshonin se pamjet ishin krijuar nga inteligjenca artificiale.
Për t’i dhënë fund këtyre spekulimeve, Iliçiq publikoi një tjetër video në TikTok, të cilën e cilësoi si të pamodifikuar, ku shihet momenti i plotë i “zhytjes polare”.
“Ju kërkuat një video të daljes nga oqeani i akullt, kështu që ja një video e pamodifikuar e kërcimit të ekipit tim. A mendoni ende se është AI”, shkroi ai përkrah videos, ku personi i parë që shfaqet është pikërisht Grabar-Kitaroviq.
Udhëtimi është organizuar përmes agjencisë së Iliçiqit, e cila është e specializuar në destinacione ekstreme dhe të rralla. Sipas informacioneve të disponueshme, çmimi i kësaj pakete udhëtimi arrin në 16,990 euro për person.









