Spekulimet rreth gjeneratës së dytë të iPhone Air po vazhdojnë, me raportime kontradiktore për kohën e prezantimit të pajisjes së re. Sipas burimeve jozyrtare, Apple pritet ta sjellë modelin e ri më herët nga sa ishte menduar fillimisht, pavarësisht zërave për një shtyrje afatgjatë.
Një burim informacioni në Weibo, i njohur si Fixed Focus Digital, ka bërë të ditur se Apple planifikon të lansojë iPhone Air të gjeneratës së dytë brenda këtij viti, duke mohuar pretendimet se pajisja është shtyrë deri në vitin 2027.
Në një raport tjetër nga i njëjti burim, thuhet se Apple mund ta shfrytëzojë kohën shtesë për të punuar në një ridizajnim të pajisjes. Ky ridizajnim pritet të përfshijë një kamerë të dytë të pasme, peshë më të lehtë, ftohje të përmirësuar të kornizës dhe kapacitet më të madh të baterisë.
Ndërkohë, Mark Gurman i Bloomberg reagoi menjëherë ndaj këtyre raportimeve, duke theksuar se, sipas burimeve të tij, iPhone Air 2 nuk është vonuar, pasi asnjëherë nuk ka qenë i planifikuar për vitin 2026. “Fakti që Apple e quajti pajisjen iPhone Air (në vend të iPhone 17 Air) sinjalizoi se nuk donte ta lidhë produktin me një orar vjetor të publikimit”, pati thënë Gurman në atë kohë.
Sipas tij, një version i rifreskuar i iPhone Air mund të prezantohet në pranverën e vitit 2027, paralelisht me iPhone 18 standard dhe iPhone 18e, si pjesë e strategjisë së re të Apple për lansime të ndara gjatë vitit.
Për më tepër, burimet e Gurman bëjnë të ditur se fokusi kryesor i gjeneratës së dytë të iPhone Air do të jetë kalimi në një çip 2-nanometër, i cili pritet të përmirësojë ndjeshëm jetëgjatësinë e baterisë, më shumë sesa të sjellë ndryshime të mëdha në dizajnin e pajisjes.








