Punimet për instalimin e filtrave të rinj në Termocentralin “Kosova B” pritet të nisin në prill të vitit 2026, pasi projekti ka kaluar të gjitha fazat teknike dhe ligjore që kërkohen për zbatimin e tij. Kjo nismë, e mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian, konsiderohet si një prej ndërhyrjeve më të rëndësishme për modernizimin e sektorit energjetik në vend.
Sipas njoftimit, investimi i BE-së synon reduktimin e ndjeshëm të emetimeve të pluhurit dhe oksideve të azotit (NOx), duke sjellë përmirësim të drejtpërdrejtë të cilësisë së ajrit si në Kosovë, ashtu edhe në rajon. Projekti shihet si një hap i domosdoshëm drejt mbrojtjes së mjedisit dhe përputhjes me standardet moderne të energjisë.
Bashkimi Evropian ka theksuar se mbetet partneri kryesor i Kosovës në fushën e investimeve, me një total prej 3.7 miliardë eurosh të dedikuara për vendin që nga viti 1999. “Ky investim i madh do të zvogëlojë ndjeshëm emetimet dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit në të gjithë Kosovën dhe rajonin”, thuhet në njoftim, duke u theksuar edhe një herë roli i BE-së si mbështetësi më i madh financiar i vendit. /Gjurmuesi/









