Në Indonezi është regjistruar një zbulim i rrallë që ka tërhequr vëmendjen e komunitetit shkencor dhe ambientalistëve. Në rajonin Maros të Sulawesi-t, në fund të vitit 2025, është identifikuar një piton gjigant femër i specieve Malayopython reticulatus, i cili besohet të jetë gjarpri i egër më i gjatë i matur ndonjëherë zyrtarisht.
Sipas vlerësimeve fillestare të konfirmuara nga GWR, gjatësia e pitonit është matur 7.22 metra nga koka deri në majën e bishtit, duke thyer çdo rekord të mëparshëm të dokumentuar për këtë specie.
Për ta ilustruar përmasën e tij, nëse gjarpri do të shtrihej përgjatë një porte standarde të FIFA-s, ai do të mbulonte pothuajse të gjithë gjerësinë nga një shtyllë në tjetrën. Gjithashtu, gjatësia e tij është e barabartë me rreth gjashtë karroca pazari të vendosura njëra pas tjetrës.
Ekspertët theksojnë se, kur gjarpërinjtë janë nën anestezi dhe trupi i tyre relaksohet plotësisht, gjatësia mund të rritet deri në 10%. Kjo nënkupton se pitoni mund të jetë realisht afër 7.9 metrave i gjatë. Megjithatë, për shkak të rreziqeve që paraqet anestezia, GWR thekson se kafshët duhet të “vihen nën” vetëm për arsye sigurie ose për procedura të domosdoshme mjekësore, ndaj kjo gjatësi nuk është testuar.

Pitoni aktualisht ndodhet nën kujdesin e ambientalistit vendas Budi Purwanto. Matjet dhe vlerësimet janë kryer nga Diaz Nugraha, udhërrëfyes i jetës së egër, shpëtimtar dhe trajtues i licencuar i gjarpërinjve nga Kalimantan, Borneo, së bashku me Radu Frentiu, eksplorues dhe fotograf i historisë natyrore, i cili jeton në Bali prej më shumë se dy dekadash.
Përveç matjes së gjatësisë me shirit matës, gjarpri u peshua dhe rezultoi të kishte një peshë prej 96.5 kilogramësh, pothuajse e njëjtë me atë të një panda gjigante të rritur. Peshimi u krye duke përdorur peshore që zakonisht përdoren për thasë orizi.
Vlen të theksohet se pitoni nuk kishte konsumuar kohët e fundit ndonjë vakt të madh, çka do të thotë se, në rrethana të tjera, pesha e tij mund të kishte kaluar lehtësisht shifrën prej 100 kilogramësh.









