Shpeshherë, ndjenja e marrjes mendsh ose një humbje e ekuilibrit pas një hapi të gabuar nuk përbën një problem serioz shëndetësor. Megjithatë, nëse këto simptoma përsëriten rregullisht, ato mund të jenë tregues të një çrregullimi që kërkon vëmendje mjekësore.
Një nga arsyet e mundshme është një çrregullim i brendshëm i veshit. Edhe një infeksion i vogël apo humbja e pjesshme e dëgjimit mund të ndikojnë në ekuilibrin e trupit. Brendësia e veshit përmban pesë sensorë të vegjël—tre prej tyre monitorojnë lëvizjen rrotulluese, ndërsa dy të tjera lëvizjet lart e poshtë. Kur këta sensorë japin sinjale të pasakta ose nuk arrijnë t’i dërgojnë ato në tru, mund të shfaqen probleme me balancimin. Nëse këto simptoma zgjasin më shumë se një javë, vizita tek mjeku është e domosdoshme.
Dobësia e muskujve është një tjetër shkak i mundshëm. Tek personat e moshuar, muskujt e dobët nuk mund të mbajnë peshën e trupit në mënyrë të qëndrueshme, duke çuar në qëndrim të keq dhe rrëzime të shpeshta.
Gjithashtu, një qarkullim i dobët i gjakut mund të shkaktojë marrje mendsh të papritur dhe humbje të ekuilibrit. Ky fenomen, i njohur si hipotension ortostatik, ndodh kur tensioni i gjakut bie pasi njeriu ngrihet menjëherë nga një pozicion i qetë. Shkaku kryesor është rrjedhja e pamjaftueshme e gjakut drejt trurit, duke çuar në ndjesinë e marrjes mendsh dhe humbje të përkohshme të stabilitetit. /Gjurmuesi/









