Megjithëse transferimi i pushtetit lokal në katër komunat veriore është realizuar dhe është pranuar pozitivisht nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian duket se nuk është ende i gatshëm të heqë masat, të paktën jo para zgjedhjeve.
Në kuadër të përgatitjes së konkluzave për takimin ministror të dhjetorit, po zhvillohen diskutime mes shteteve anëtare për mënyrën se si do të formulohet mesazhi lidhur me heqjen e masave. Burimet diplomatike tregojnë se ekzistojnë ndasi: disa shtete mbështesin heqjen e menjëhershme, ndërsa të tjerat preferojnë një qasje graduale.
Edhe brenda institucioneve evropiane ndahen qëndrimet. Shërbimi i Veprimit të Jashtëm, nën drejtimin e kryediplomates Kaja Kallas, favorizon heqjen e plotë të masave, ndërsa Komisioni Evropian përfaqëson pikëpamjet e shteteve që hezitojnë t’i largojnë ato tërësisht.
Takimet në nivel ambasadorësh do të vazhdojnë gjatë javës së ardhshme, me synimin për të arritur një kompromis që do të përfshihet në konkluzat e 16 dhjetorit për masat.
Aktualisht, duket se po kërkohet një formulim i ri që të ruajë premtimin për heqjen e masave në të ardhmen, duke mos e zbatimin atë menjëherë, pavarësisht premtimeve të mëhershme pas transferimit të qetë të pushtetit lokal. /Gjurmuesi/







