Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar sot Policinë e Kosovës të intervistojë disa persona të dyshuar në Obiliq, në kuadër të hetimeve për keqpërdorime ose falsifikime gjatë numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. “Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.
Në Obiliq, dallime më të mëdha në numrin e votave janë regjistruar tek kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje; pas rinumërimit, Gazmend Krasniqit iu hoqën 362 vota, ndërsa Adelina Graincës 295. Në partitë e tjera ndryshimet kanë qenë të vogla.
Gjatë ditës, edhe në Pejë disa komisionerë janë intervistuar mbi dyshimet për manipulime me vota. Deri tani, për raste të tilla në Prizren janë në paraburgim 28 persona, ndërsa në Malishevë 15. Veprime hetimore janë ndërmarrë edhe në komunat e tjera.







