Google po zgjeron mundësitë kreative të inteligjencës artificiale duke integruar gjenerimin e muzikës në aplikacionin Gemini, përmes modelit më të ri të Google DeepMind, Lyria 3.
Funksioni i ri po lansohet në versionin beta dhe do të jetë i disponueshëm në disa gjuhë, përfshirë anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht, hindisht, japonisht, koreanisht dhe portugalisht. Qasja është e hapur për të gjithë përdoruesit mbi 18 vjeç, ndërsa abonentët e Google AI Plus, Pro dhe Ultra do të kenë limite më të larta përdorimi krahasuar me përdoruesit falas.
Përdorimi është i thjeshtë: mjafton të përshkruani një ide ose të ngarkoni një foto apo video, në mënyrë që Gemini të marrë frymëzim prej saj. Ndërkohë, arti i kopertinës krijohet automatikisht nga Nano Banana.
Sipas Google, “qëllimi i këtyre këngëve nuk është të krijojë një kryevepër muzikore, por t’ju japë një mënyrë argëtuese dhe unike për të shprehur veten” dhe të ndani atë që keni me miqtë tuaj.
Përdoruesit mund të specifikojnë zhanrin, humorin, një shaka të brendshme apo një kujtim të veçantë për të krijuar këngë me tekst ose instrumentale që “i përshtatet atmosferës suaj”. Tekstet gjenerohen automatikisht, pa qenë nevoja që përdoruesi t’i shkruajë vetë.
Këngët e krijuara përmes Gemini përfshijnë integrimin me SynthID, mjeti i padukshëm i Google për identifikimin e përmbajtjes së gjeneruar nga inteligjenca artificiale e kompanisë.
Google thekson se funksioni është projektuar për shprehje origjinale dhe jo për të imituar artistë ekzistues. Në rast se përdoruesi përmend një artist në kërkesë, Gemini e interpreton atë si frymëzim të përgjithshëm kreativ dhe krijon një këngë me stil ose humor të ngjashëm.
Kompania shton se janë vendosur filtra për të kontrolluar rezultatet ndaj përmbajtjes ekzistuese, ndërsa përdoruesit kanë mundësi të raportojnë materiale që mund të cenojnë të drejtat e tyre ose të palëve të treta.








