Google raportohet se është duke punuar në një teknologji të re dhe më të avancuar për zhbllokimin me fytyrë, e cila pritet të debutojë me familjen Pixel 11 dhe të integrohet edhe në Chromebook-ët e ardhshëm. Projekti, i njohur brenda kompanisë me emrin “Project Toscana”, synon të sjellë një përvojë më të sigurt dhe më të qëndrueshme në çdo kusht ndriçimi.
Sipas burimeve që pretendojnë se e kanë testuar, sistemi i ri funksionon pa ndonjë sensor shtesë të dukshëm në telefonat Pixel. Ende nuk është e qartë nëse përdor rreze infra të kuqe siç bëjnë iPhone-ët, por nëse po, komponentët IR thuhet se janë të fshehur nën ekran. Madje raportohet se edhe Apple po punon në një zgjidhje të ngjashme për iPhone 18 Pro dhe Pro Max.
Nga jashtë, pajisjet pritet të duken njësoj si një Pixel 10, por përmirësimi kryesor është performanca e zhbllokimit me fytyrë, i cili funksionon po aq mirë në ndriçim të ulët sa edhe në dritë të fortë ditore.
Spekulimet për sjelljen e zhbllokimit me fytyrë të bazuar në IR në serinë Pixel 11 qarkullonin që vitin e kaluar, dhe duket se kjo teknologji tani është drejt realizimit.
Interesante është fakti që Google po e teston këtë teknologji edhe për Chromebook-ët, duke sinjalizuar një zgjerim përtej telefonave inteligjentë.
Burimi i raportit pretendon se sistemi i ri është po aq i shpejtë sa Face ID e Apple në iPhone, çka përbën një zhvillim pozitiv për përdoruesit.
Ndryshe nga iPhone-t, telefonat Pixel ofrojnë edhe skaner të gjurmëve të gishtave. Megjithatë, një alternativë e avancuar dhe e besueshme për zhbllokim me fytyrë, që funksionon pavarësisht kushteve të ndriçimit, konsiderohet një shtesë e mirëpritur.








