Gjykata Supreme ka marrë vendim për të mos e pranuar ankesën e subjektit politik Alternativa, e cila kishte kundërshtuar vendimin për ndarjen e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike. Ankesa kishte të bënte me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Alternativa kishte kundërshtuar përjashtimin e saj nga ndarja e këtyre fondeve, duke kërkuar rishqyrtimin e vendimit. Megjithatë, Gjykata Supreme ka konstatuar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vepruar në përputhje me ligjin.
Sipas arsyetimit të gjykatës, Ligji Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton qartë se PZAP ka kompetencë të shqyrtojë vetëm ankesat që lidhen me vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të cilat janë të përcaktuara shprehimisht në ligj. Në këtë rast, vendimet që kanë të bëjnë me ndarjen e fondeve për mbështetjen e subjekteve politike nuk bëjnë pjesë në kategoritë që mund të ankimohen në këtë panel.
Gjykata gjithashtu ka theksuar se edhe Ligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk parashikon të drejtën e ankimit ndaj vendimeve të KQZ-së për ndarjen e fondeve, përveç rasteve që lidhen me dispozitat ndëshkimore.
Megjithatë, sipas njoftimit të gjykatës, Alternativa ka ende mundësi të kërkojë mbrojtje juridike përmes rrugëve të tjera ligjore.
“Edhe pse ankesa në PZAP nuk është e lejueshme për këtë kategori vendimesh, subjekti politik ka mundësi të kërkojë mbrojtje juridike përmes procedurave të tjera gjyqësore të parashikuara me ligj, përfshirë kontrollin gjyqësor të akteve përfundimtare të organeve publike”, thuhet në vendimin e Supremes.






