Gjykata e Apelit ka vendosur të rikthejë në rigjykim çështjen ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës gjatë një mbledhjeje parlamentare në vitin 2016.
Në shkallën e parë, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte liruar Konjufcën më 26 shkurt 2024 nga akuzat për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Megjithatë, pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Apeli ka prishur aktgjykimin e mëparshëm dhe ka urdhëruar rigjykim.
Sipas vendimit të Apelit të datës 30 janar 2026, aktgjykimi lirues përmbante shkelje të rëndësishme të procedurës penale. Gjykata e parë nuk kishte vlerësuar plotësisht provat dhe dëshmitë e administruara, përfshirë deklaratat e dëshmitarëve A.G., I.B., V.B., S.H. dhe S.P., si dhe provat materiale si raporti i vendngjarjes, lokacioni i incidentit në Sallën C.nr. 301 të Kuvendit, lista e dëshmive dhe bombola e zbrazët e gazit lotsjellës.
Apeli ka theksuar se Gjykata Themelore nuk ka arsyetuar bindshëm lirimin e Konjufcës, duke pasur parasysh provat materiale dhe deklaratën e të akuzuarit, i cili pranoi përdorimin e gazit lotsjellës, megjithëse nuk e konsideronte atë armë sipas Ligjit për armët.
Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në vitin 2017, duke pretenduar se më 10 gusht 2016, gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca kishte hedhur gaz lotsjellës dhe penguar pjesëmarrësit të qëndronin në sallë.
Në shkurt 2024, gjatë fjalëve përfundimtare, avokatja mbrojtëse e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, kërkoi lirimin e klientit të saj, duke argumentuar mungesën e vërtetimit të veprës penale dhe mungesën e ekspertizës për bombolën e gazit.
Gjykata e Apelit ka urdhëruar që në rigjykim, Gjykata Themelore të eliminojë të gjitha shkeljet procedurale dhe të nxjerrë konkluzione të drejta dhe të argumentuara bazuar në provat e administruara.







