Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim dënues ndaj Sllagjan Trajkoviqit, i akuzuar për krime lufte, duke e shpallur fajtor dhe duke e dënuar me 10 vjet burgim. Vendimi u bë publik të premten, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.
Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, së bashku me anëtarët Arben Hoti dhe Donikë Shala-Abdyli. Gjykatësi Arrni njoftoi se Trajkoviqi është shpallur fajtor për pikën C të aktakuzës dhe për këtë arsye është dënuar me 10 vjet heqje lirie.
Në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, masë e cila do t’i vazhdohet me aktvendim të veçantë. Po ashtu, Trajkoviqi obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës: 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Palët e dëmtuara janë udhëzuar që kërkesat pasurore-juridike t’i realizojnë përmes kontestit civil. Ndërkohë, për pikat A, B dhe D të aktakuzës, trupi gjykues vlerësoi se nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprimet për të cilat ishte ngarkuar.
Palët e pakënaqura nga ky vendim kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 12 korrik 2023 kishte ngritur aktakuzë ndaj Sllagjan Trajkoviqit, duke e akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile. Sipas aktakuzës, ai dyshohej se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998–1999, në fshatin Reznik të Komunës së Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë, si dhe në plaçkitje, djegie dhe shkatërrim të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.
Me këto veprime, Trajkoviqi akuzohej se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe persona të tjerë të armatosur dhe të uniformuar, ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafët 1.4, 1.6 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata







