Gjykata e Shkallës së Parë ka dhënë vendimin përfundimtar në çështjen e vrasjes së Martin Canit, duke dënuar Mario Përlleshajn me 16 vite burg.
Sipas raportimeve nga seanca, Përlleshaj është shpallur fajtor për vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj Martin Canit dhe për vrasje në tentativë ndaj Luis Meçes. Fillimisht, ai u dënua me 12 vite për vrasjen dhe 10 vite për tentativën e vrasjes, por pas bashkimit të dënimeve, gjykata vendosi 16 vite heqje lirie. Në seancë morën pjesë vetëm babai i Martin Canit dhe Luis Meçja.
Avokati i familjes Cani theksoi se vendimi i gjykatës është i drejtë, duke e konsideruar si çështje drejtësie dhe jo thjesht dënimi.
Familja Cani, në një deklaratë për mediat, shprehu lehtësim dhe mirënjohje për vendimin: “Pas një viti dhimbjeje, kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie. Gjykata njohu dy vepra të veçanta penale — vrasjen e Martinit dhe tentativën e vrasjes ndaj Luisit. Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë, që i jep peshë jetës së Martin Canit dhe dhimbjes së familjes.”
Ata gjithashtu bënë të ditur se do të vazhdojnë misionin e tyre për të nderuar kujtimin e Martin Canit përmes Muzeut “Martin Cani”, një filmi mbi jetën e tij dhe Fondacionit Martin Cani, që do të punojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla.
Familja falënderoi qytetarët që kanë qëndruar pranë tyre, duke theksuar se vendimi i gjykatës i jep zë drejtësisë për Martin Canin. /Gjurmuesi/







