Pas gati një muaji kërkimesh intensive, është lokalizuar trupi i pajetë i Jurgen Karajt, 30 vjeç, nga fshati Fullqet i Klosit. Ai ishte raportuar i zhdukur prej 29 ditësh, ndërsa trupi i tij u gjet rreth 30 kilometra larg vendit ku kishte ndodhur aksidenti.
Karaj ndodhej në një automjet bashkë me shokun e tij, Andi Losha, kur makina u aksidentua dhe përfundoi në përroin e fshatit Darsë të Klosit. Dyshohet se 30-vjeçari është marrë nga rrjedha e ujit më 10 janar.
Që nga dita e aksidentit, operacionet e kërkimit në lumë janë zhvilluar pa ndërprerje. Në terren kanë qenë të angazhuara dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë Burrel, familjarë të të zhdukurit dhe struktura të tjera mbështetëse.
Në kërkime janë përfshirë edhe ekipe nga Kosova, të pajisura me mjete dhe pajisje speciale për operacione në ujëra të rrëmbyeshme. E gjithë vija e lumit Mat është kontrolluar disa herë, por vetëm tani është bërë i mundur gjetja e trupit të 30-vjeçarit, duke i dhënë fund pritjes së gjatë dhe të dhimbshme për familjen.







