Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka nënvizuar se respektimi i ligjit nuk është opsional, por një detyrim themelor i Republikës së Kosovës dhe parakusht për ndërtimin e institucioneve të forta dhe funksionale.
“Sundimi i ligjit nuk është opsion, por detyrim i Republikës së Kosovës. Është detyrë e pamohueshme dhe e domosdoshme për të garantuar drejtësi të barabartë, për të eliminuar vonesat, procedurat burokratike dhe pengesat politike, për të luftuar korrupsionin në çdo nivel, krimin e organizuar dhe çdo abuzim tjetër me pushtetin”, shkroi Gërvalla në një postim në Facebook. Ajo theksoi se një sistem i fortë drejtësie është baza për një shtet funksional. “Pa një sistem të fortë drejtësie, nuk ka shtet të fortë ligjor”, shtoi ministrja.
Gërvalla bëri të ditur se buxheti i Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2026 është rritur ndjeshëm, duke arritur në 44.6 milionë euro, krahasuar me 29 milionë euro sa ishte në vitin 2020. Sipas saj, këto fonde do të përdoren për forcimin e kapaciteteve institucionale, zbatimin më efektiv të reformave në drejtësi, përshpejtimin e digjitalizimit, mbështetjen e sistemit korrektues dhe mekanizma më të fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në përfundim, ministrja nënvizoi se ligji është i panegociueshëm dhe se askush nuk mund të jetë mbi të: “Në Republikën e Kosovës, ligji nuk negociohet. Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”.







