Disa nga format më të rrezikshme të kancerit të sistemit tretës mund të zhvillohen pa dhënë asnjë shenjë paralajmëruese, duke i bërë ato veçanërisht të vështira për t’u zbuluar në kohë.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, gastroenterologu Avni Haziri ka folur për rrezikshmërinë dhe natyrën e fshehtë të kancerit të lukthit dhe zorrës së trashë, duke theksuar se mungesa e simptomave nuk nënkupton mungesë të sëmundjes.
Sipas Hazirit, përvoja e tij mbi 22-vjeçare në praktikën mjekësore përfshin raste të shumta pacientësh të diagnostikuar me kancer të avancuar, pa pasur më parë ankesa apo shenja klinike.
“Mua më ka ndodhur që gjatë këtyre 22 viteve përvojë të kem pacientë me kancer të avancuar të lukthit pa pasur asnjë simptomë. Po ashtu, kam pasur pacientë me karcinomë të zorrës së trashë pa asnjë shenjë klinike”, ka deklaruar Haziri.
Ai sqaron se kanceri i zorrës së trashë konsiderohet ndër format më të rrezikshme, pasi zhvillohet në heshtje dhe simptomat zakonisht shfaqen në faza të vona.
“Ky lloj kanceri shpesh jep vetëm anemi. Pacienti nuk ka gjak në jashtëqitje, nuk ka kapsllëk, as barkqitje. Pra, nuk ka simptoma tipike që do ta alarmonin menjëherë”, thekson gastroenterologu.
Një tjetër element kyç që Haziri vë në dukje është faktori gjenetik. Sipas tij, personat që kanë histori familjare me kancer të lukthit apo të zorrës së trashë duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kryejnë kontrolle të rregullta.
Për më shumë detaje dhe shpjegime të zgjeruara, podcasti “Shëndeti në rend të parë” mund të ndiqet i plotë.









