Në kohën kur vendi po përgatitet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, komuniteti i biznesit po kërkon që debati politik të fokusohet përtej fushatës dhe premtimeve afatshkurtra, duke vënë theksin tek zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve.
Në këtë kontekst, Forumi i Sektorit Privat në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që këto tema të mbeten në qendër të programeve dhe vendimmarrjes së ardhshme qeverisëse.
Si përfaqësues i bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, Forumi thekson rëndësinë e krijimit të një dialogu të vazhdueshëm, të hapur dhe të institucionalizuar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, duke e konsideruar atë bazë për politika ekonomike të qëndrueshme dhe të zbatueshme.
“Forumi bën thirrje për politika fiskale nxitëse, të parashikueshme dhe konkurruese, të cilat inkurajojnë investimet vendore dhe të huaja, nxisin rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës”.
Në të njëjtën kohë, theksohet edhe nevoja për reforma në sistemin arsimor, me fokus në përafrimin e planprogrameve me kërkesat reale të tregut të punës, me synim zvogëlimin e hendekut ndërmjet arsimit dhe sektorit privat.
“Po ashtu, theksohet nevoja urgjente për përmirësimin e planprogrameve arsimore dhe përafrimin e tyre me nevojat reale të tregut të punës, me qëllim të ngushtimit të hendekut ndërmjet sistemit arsimor dhe kërkesave të sektorit privat”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas Forumit, forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i sigurisë juridike dhe luftimi i korrupsionit janë kushte kyçe për ndërtimin e besimit të investitorëve dhe për sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.
Në fund, Forumi i Sektorit Privat në Kosovë shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me çdo qeveri të ardhshme, përmes Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime apo mekanizmave të tjerë institucionalë, me synim realizimin e reformave strukturore, ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe avancimin e integrimit të Kosovës në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.









