Qeveria e Irakut ka konfirmuar se forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara kanë përmbyllur largimin nga të gjitha bazat në territorin federal të vendit, duke shënuar një fazë të re në marrëdhëniet ushtarake mes dy shteteve. Përjashtim nga kjo tërheqje mbetet vetëm Rajoni gjysmë-autonom i Kurdistanit, ku prania amerikane vazhdon.
Ministria irakiane e Mbrojtjes ka njoftuar se grupi i fundit i këshilltarëve ushtarakë amerikanë është larguar nga Baza Ajrore Al-Asad, në provincën Anbar, në perëndim të Irakut. Kjo bazë ka qenë një nga pikat kryesore të pranisë ushtarake amerikane për më shumë se dy dekada.
Tërheqja e trupave amerikane ka qenë një proces i vazhdueshëm gjatë viteve të fundit, pas kërkesës zyrtare të qeverisë së Irakut në vitin 2023 për reduktimin e pranisë së SHBA-së në vend, raporton CNN.
Në të njëjtën kohë, edhe koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja kundër grupit ekstremist Shteti Islamik është larguar nga selia e Komandës së Operacioneve të Përbashkëta, duke ia dorëzuar plotësisht objektet forcave irakiane të sigurisë.
Megjithatë, trupat amerikane vazhdojnë të qëndrojnë në Bazën Ajrore Harir, në provincën e Erbilit, e cila ndodhet në Rajonin e Kurdistanit, duke ruajtur kështu një prani të kufizuar në vend.
Prania ushtarake e SHBA-së në Irak ka ndryshuar ndjeshëm që nga pushtimi i vitit 2003. Në periudhën e angazhimit maksimal, numri i trupave amerikane arrinte rreth 170 mijë. Në vitin 2011, ish-presidenti Barack Obama urdhëroi tërheqjen e forcave amerikane nga vendi.
Situata ndryshoi sërish në vitin 2014, kur rreth 5 mijë trupa amerikane u rikthyen në Irak me kërkesë të qeverisë irakiane për të ndihmuar në luftën kundër ISIS-it. Që nga dhjetori i vitit 2021, kur SHBA-ja shpalli përfundimin e rolit të saj luftarak, prania amerikane është reduktuar në rreth 2,500 trupa, kryesisht me detyra këshillimi dhe mbështetjeje.
Komanda Qendrore e Departamentit amerikan të Mbrojtjes ka konfirmuar për CNN se deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes së Irakut lidhur me dorëzimin e bazave është e saktë, pa dhënë detaje shtesë.
Kjo tërheqje e fundit vjen në një periudhë të tensioneve të shtuara rajonale mes SHBA-së dhe Iranit, në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e një sulmi ndaj Iranit, mes protestave të përgjakshme kundër regjimit autoritar në Teheran.







