FIFA njoftoi të mërkurën se kishte marrë më shumë se 500 milionë kërkesa për bileta për Kupën e Botës 2026, duke e bërë këtë turne një nga më të kërkuarit në historinë e futbollit.
Përtej vendeve pritëse – SHBA, Meksikë dhe Kanada – shumica e kërkesave erdhën nga tifozë të Gjermanisë, Anglisë, Brazilit, Spanjës, Portugalisë, Argjentinës dhe Kolumbisë.
Pas kritikave për çmimet e larta, FIFA siguroi bileta me vlerë 60 dollarë për çdo ndeshje për 48 federatat kombëtare, të cilat do të vendosin mënyrën e shpërndarjes tek tifozët që kanë ndjekur ndeshjet e tyre të mëparshme.
Në fazën e tretë të shitjes, më shumë kërkesa pati për ndeshjen Kolumbi – Portugali më 27 qershor në Miami Gardens, Florida. Pas saj renditen: Meksikë – Kore e Jugut më 18 qershor në Guadalajara, finalja më 19 korrik në East Rutherford, ndeshja hapëse Meksikë – Afrika e Jugut më 11 qershor në Mexico City, dhe ndeshja e raundit të dytë më 2 korrik në Toronto.
FIFA njoftoi se aplikantët për bileta do të informohen për rezultatin deri më 5 shkurt. Biletat për ndeshjet ku kërkesa tejkalon kapacitetin do të ndahen rastësisht.








