Një draft i ri i hartuar nga fuqitë kryesore evropiane po sfidon elementët më të diskutueshëm të planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sipas një dokumenti që po qarkullon në bisedimet e Gjenevës, Evropa ka paraqitur një qasje më të moderuar sa i përket kufizimeve ushtarake dhe çështjeve territoriale të vendit në luftë.
Versioni i modifikuar propozon që kapaciteti i ushtrisë ukrainase të kufizohet në 800 mijë trupa “në kohë paqeje”, në vend të kufirit shumë më të ulët prej 600 mijë që ishte menduar në planin e paraqitur nga SHBA-ja.
Në pjesën që lidhet me territorin, dokumenti zhvendos nisjen e negociatave tek “Vija e Kontaktit”, duke hequr idenë e përcaktimit paraprak të zonave të cilat do të trajtoheshin si “de facto ruse”, siç parashihej në versionin amerikan.
Kundërpropozimi është përgatitur nga trioja evropiane e njohur si E3 – Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania – dhe ndërton mbi planin fillestar të Uashingtonit përmes ndryshimeve dhe fshirjeve të caktuara.
Një element kyç i dokumentit është kërkesa që Ukraina të marrë garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të ngjashme me mekanizmin mbrojtës të Nenit 5 të NATO-s.
Po ashtu, propozimi evropian kundërshton idenë amerikane për shfrytëzimin e aseteve të ngrira ruse për investime nën drejtimin e SHBA-së. Dokumenti nënvizon se Ukraina duhet të kompensohet plotësisht dhe se asetet shtetërore ruse duhet të mbeten të bllokuara derisa Moska të mbulojë dëmet e shkaktuara nga lufta.
Plani amerikan parashihte përdorimin e rreth 100 miliardë dollarëve të ngrirë rusë në një program investimesh për rindërtimin e Ukrainës, ku SHBA-ja do të përfitonte gjysmën e të ardhurave. Pjesa tjetër synohej të kanalizohej në një fond të përbashkët investimi SHBA–Rusi. /Gjurmuesi/







