Interesimi i Evertonit për Edon Zhegrovën mbetet serioz dhe klubi anglez nuk planifikon të tërhiqet nga gara për shërbimet e tij. Sipas zhvillimeve të fundit, skuadra nga Premier League ka marrë sinjale pozitive se transferimi i 26-vjeçarit mund të realizohet pas përfundimit të sezonit.
Evertoni e konsideron Zhegrovën si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv dhe po përgatit një ofertë për ta bindur Juventusin që ta lejojë largimin e tij.
Nga ana tjetër, raportohet se Juventusi është i hapur për shitjen e futbollistit, i cili nuk ka arritur të lërë gjurmë të fortë që nga transferimi në Torino nga Lille.
Sulmuesi i krahut ka pasur hapësira të kufizuara këtë sezon te Juventusi, duke qenë titullar vetëm në një ndeshje. Megjithatë, javët e fundit ai ka shfaqur formë më të mirë, ndërsa deri tani ka regjistruar 20 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e klubit italian.








