Reagime të forta kanë ardhur nga Elon Musk pas ndërhyrjes së autoriteteve franceze në ambientet e platformës së mediave sociale “X” në Paris. Miliarderi amerikan e ka cilësuar kontrollin e zhvilluar të martën si një veprim të motivuar politikisht, duke hedhur dyshime mbi qëllimet e hetimit.
Musk ka reaguar pas një deklarate të publikuar nga departamenti i Çështjeve të Qeverisë Globale të “X”, ku thuhet se kontrolli lidhet me “një hetim penal të politizuar për manipulim të dyshuar të algoritmeve dhe nxjerrje të supozuar mashtruese të të dhënave”.
“Jemi të zhgënjyer nga ky zhvillim, por nuk jemi të befasuar”, thuhet në reagimin zyrtar të platformës.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se Zyra e Prokurorit Publik të Parisit “po përpiqet qartë të ushtrojë presion” ndaj menaxhmentit të lartë të “X” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke “shënjestruar entitetin dhe punonjësit tanë francezë, të cilët nuk janë në fokus të këtij hetimi”.
Nga ana tjetër, më herët njësia e krimit kibernetik pranë prokurorisë së Parisit ka konfirmuar se ka zhvilluar një kontroll në zyrat franceze të platformës “X”, si pjesë e një hetimi penal që është ende në proces.
Hetimi, i cili është hapur në janar të vitit 2025, përqendrohet në funksionimin e algoritmeve të platformës dhe mënyrën se si ato operojnë në shpërndarjen dhe përpunimin e të dhënave.








