Rritja e çmimeve gjatë sezonit të ardhjes së mërgatës mund të përsëritet sërish këtë vit, paralajmëron analisti i ekonomisë Arton Muhaxheri. Ai thotë se periudha kur diasporën e ka kulmin e vizitave zakonisht shoqërohet me shtrenjtim të produkteve bazë dhe derivateve të naftës.
Sipas tij, ky fenomen është vërejtur pothuajse çdo vit, pasi rritja e kërkesës në treg shtyn bizneset të ngritin çmimet. Megjithatë, Muhaxheri thekson një problem të vazhdueshëm: çmimet rrallëherë kthehen në nivelin e mëparshëm pasi mërgimtarët largohen.
Ai ka kritikuar hapur institucionet përgjegjëse, duke thënë se kanë dështuar të ndërhyjnë për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet sezonale. Sipas tij, organet kompetente nuk po e kryejnë rolin e tyre dhe po sillen thjesht si vëzhgues.
“Institucionet që duhet ta menaxhojnë këtë proces e kanë lënë tregun të ecë vetë, pa asnjë kontroll të vërtetë”, tha Muhaxheri, duke shtuar se kjo qasje po e rëndon përditë jetesën e qytetarëve. /Gjurmuesi/









